Skip to content

Masa për mbrojtjen e rrjetit nga sulmet kibernetike. Borxhet ndaj OST, në rritje

Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, intervistë për revistën “Monitor”.
 

Sulmet kibernetike të vazhdueshme, me të cilat është përballur vendi këto kohë, duket se kanë rritur vigjilencën e institucioneve me infrastruktura kritike për të rritur sigurinë.

Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, pohon se janë marrë masa që rrjeti i kompanisë të jetë i sigurt ndaj sulmeve në kushtet ku jemi, edhe në mes të një krize të dukshme energjie.

Sipas tij, në lidhje me kapacitetet transmetuese dhe rezervimit të tyre janë marrë të gjitha masat për të përballuar kërkesat, si në import edhe në eksport, për periudhën në vijim.

 

Viti 2021 ishte i vështirë për sektorin e energjisë. Në fillim të gushtit të vitit të shkuar u shfaqën edhe sinjalet e qarta të një krize globaleSi ishte aktiviteti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit këtë vit?

Gjatë vitit 2021, sistemi është përballur me rritje të kërkesës për energji elektrike të vendit me 10% (rajoni i Tiranës, rreth 15%). Ky vit përfaqëson rritjen më të madhe të konsumit të regjistruar në 10 vitet e fundit. Në planin e parametrave dinamikë të energjisë elektrike, viti 2021, rezulton me konsum 10,457 GWh në sistemin e transmetimit, i cili është mbuluar në masën 8,433 GWh nga prodhimi energjisë elektrike në vend dhe 2,253 GWh energji elektrike janë importuar nga tregu energjisë elektrike në rajon.

Kushtet hidrologjike gjatë vitit 2021 krahasuar me vitin 2020 kanë qenë mjaft të favorshme, duke reflektuar një sasi më të lartë të gjenerimit nga prodhuesit e energjisë elektrike, ku duhet të kemi parasysh që kapaciteti prodhues në vend është 100% Hidro-Gjenerues.

Prodhimi i energjisë elektrike për vitin 2021 ka rezultuar rreth 72% më i lartë se ai i vitit 2020.

Në rrjetin e Operatorit të Transmetimit janë injektuar përafërsisht 10,685 GWh, nga të cilat 228 GWh janë humbje teknike dhe nevoja vetjake të energjisë elektrike në rrjetin e OST sh.a., që përkojnë me 2.14% të energjisë elektrike, në përputhje me planifikimin vjetor të OST sh.a.

Si paraqitet situata financiare e OST për vitin 2021 në lidhje me të ardhurat, shpenzimet, fitimin?

Të ardhurat totale për vitin 2021 kanë rezultuar 9,383 milionë lekë, nga 7,050 milionë lekë që ishin parashikuar në programin e zhvillimit të vitit 2021. Realizimi i tyre është në masën 133%.

Rreth 55% të të ardhurave operative e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike tek OSHEE sh.a.

Shpenzimet totale për vitin 2021 kanë rezultuar 8,430 milionë lekë. Efektet që kanë ndikuar në rritje të shpenzimeve kanë qenë kryesisht rritja e çmimeve të energjisë në tregun rajonal. Është vënë re një rritje në kostot e transmetimit, kryesisht në shpenzimet për shërbimet ndihmëse që vijnë si rezultat i hyrjes në fuqi në prill 2021 të rregullave të tregut.

Në to përcaktohet sigurimi i këtij shërbimi me çmimet e tregut, si dhe shpenzimet për humbjen e energjisë ku ka ndikuar kryesisht rritja e madhe e çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar, për shkak të krizës energjetike. Viti 2021 ka rezultuar me fitim në vlerën 691.7 mln lekë.

 

Si kanë ndikuar tek OST çmimet e larta në bursë për blerjen e energjisë që i duhet për të mbuluar humbjet?

Çmimet e larta në bursë, për shkak të krizës së energjisë në tregun ndërkombëtar kanë efektin kryesor në rritjen e shpenzimeve të OST për mbulimin e humbjeve. Humbjet totale në rrjetin e transmetimit për vitin 2021 rezultuan 2.13% të totalit të energjisë së transmetuar (228 GWh).

Shpenzimet për humbjet u realizuan në vlerën 2,089 milionë lekë nga 1,268 milionë lekë të parashikuara, ose 165% nga sa ishte parashikuar për vitin 2021. Në mënyrë krahasuese, treguesit ndër vite, paraqiten në grafikun më poshtë:

OST ka një tarifë të rishikuar nga 0.75 lekë/kWh që ishte në 0.85 lekë/kWh. Sa i mbulon tarifa e rishikuar kostot e operimit të kompanisë dhe nevojat reale të saj?

Tarifa e transmetimit të energjisë elektrike synon të mbledhë të ardhurat e nevojshme për të zhvilluar investimet e nevojshme në sistem, për të mbuluar kostot operative të drejtimit të shoqërisë, si dhe për të minimizuar humbjet në rrjetin e transmetimit.

T Tarifa, edhe pse është rritur nga 0.75 lekë/kWh në 0.85 lekë/kWh rezulton e ulët për çfarë i nevojitet OST në realizimin e të ardhurave të kërkuara, duke marrë në konsideratë rezultatin e pritshëm të vitit 2022 dhe viteve në vijim.

Duke konsideruar rritjen e kostove të energjisë elektrike nga ndikimi i krizës energjetike në tregun ndërkombëtar, blerjen e humbjeve dhe shërbimeve ndihmëse në treg, edhe tarifa e 0.85 lekë/kWh e bën të vështirë situatën financiare të OST për mbulimin e tyre dhe në të njëjtën kohë, mirëmbajtjen dhe investimet e nevojshme në rrjetin e transmetimit.

 

Në kushtet aktuale të tregjeve të energjisë, cilat janë sfidat me të cilat përballet OST sa u takon kapaciteteve të interkoneksionit, rezervimit të tyre, kostove të transmetimit, disbalancat apo elemente të tjera të lidhura me rrjetin?

Kapacitetet e interkoneksionit: Deri më sot, OST ka siguruar kapacitet ndërkufitar të mjaftueshëm për tranzitet e energjisë, importet dhe eksportet e realizuara. Natyrisht që volumi i këtyre realizimeve, pra kërkesa për kapacitete në interkoneksion, parashikohet të ketë rritje në të ardhmen në varësi të shtimit të volumit të shkëmbimeve, në një treg aktiv të liberalizuar të energjisë elektrike.

Kapacitetet aktuale në interkoneksion mundësojnë lidhjen e sistemeve ndërkufitare, si dhe integrimin e tregjeve energjetike ndërkufitare me ato rajonale dhe me tregun mbareuropian. Aktualisht OST është e lidhur me linja interkoneksioni me Europën Kontinentale, përmes linjave të interkoneksionit me Greqinë, Malin e Zi dhe Kosovën (6 linja).

Në proces vijon projekti për ndërtimin e linjës 400kV Elbasan-Ohër (MV), e cila pritet të finalizohet në vitin 2024. Gjithashtu kemi filluar studimin e rrjetit dhe tregut për linjën e interkoneksionit 400kV Shqipëri-Greqi.

Rezervimi i kapaciteteve: OST ka mundur të transmetojë prodhimin e plotë të vendit, pa asnjë kufizim dhe me nivel të lartë sigurie, por në vitet e fundit jemi gjendur përballë një rritje të prodhimit rreth 30% më të lartë nga ajo e maksimumit të arritur më parë.

Kjo, për shkak se në rrjetin e sistemit elektroenergjetik (rrjetin e shpërndarjes dhe të transmetimit) kanë hyrë një numër i madh gjeneruesish të rinj, që gjithashtu kërkojnë të jenë aktivë në tregun e energjisë elektrike. Nëse del e nevojshme, OST siguron menaxhimin e kongjestioneve që mund të krijohen dhe synon të minimizohen kostot e përdorimit të kapaciteteve nga pjesëmarrësit e tregut.

Kostot e transmetimit: OST do të vijojë të marrë masa për zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të sistemit të transmetimit, me qëllim modernizimin e kapaciteteve të sistemit, si dhe mirëmbajtjen, për të siguruar operim të sigurt e të balancuar të rrjetit të transmetimit, në çdo rrethanë.

Kjo kërkon investime kapitale afatgjata në infrastrukturën e linjave dhe nënstacioneve të rrjetit, platformat e dispeçerimit dhe të komandimit, platformat e komunikimit automatik të të dhënave ndërmjet sistemeve dhe ato me pjesëmarrësit në rrjetin dhe tregun e energjisë elektrike.

Në bazë të metodologjisë së përcaktuar nga ERE, për vendosjen e tarifës së transmetimit merren parasysh këto shpenzime, si dhe shpenzime të tjera të domosdoshme për operimin e sistemit të transmetimit. Kryerja e këtyre investimeve afatgjata kontribuon në uljen e kostove të transmetimit. OST ka detyrimin të bëjë kërkesat ndaj ERE-s për rishikimin periodik të tarifës, ose sa herë rezulton e nevojshme.

Disbalancat: Në rrethanat aktuale, siç edhe shihet, ka rritje të çmimit të energjisë në treg, po ashtu edhe rritje të kostove të sigurimit të shërbimeve të energjisë balancuese, e ndikuar nga faktorë si çmimi dhe disponimi i volumit të ofertuar të rezervës së energjisë për balancim. OST duhet të realizojë në vijimësi optimizimin e përdorimit të burimeve për balancimin të sistemit, në kushtet kur vazhdimisht po shtohen burime të reja gjeneruese të energjisë nga uji, dielli dhe era, gjë që ka sjellë diversifikim të shtuar të burimeve në rrjet.

Integrimi i tyre në mekanizmat e balancimit është pjesë e një tregu më vete me objekt transaktimin e rezervës së energjisë për balancim, çmimi i së cilës ka njohur rritje të konsiderueshme, gjithashtu. Përveç kësaj, në bazë të marrëveshjeve të arritura, OST kryen shkëmbim të rezervave balancuese me vendet fqinje.

Si ka qenë ecuria e investimeve për kompaninë edhe pse aktualisht, për shkak të situatës së emergjencës në furnizim, ato janë kufizuar vetëm te të domosdoshmet?

OST, përveç mirëmbajtjes së sistemit, ka për detyrë të sistemojë burimet energjetike (të rinovueshme, diell dhe erë).

OST ka investuar dhe vijon me investimet si në linja të reja, ashtu edhe në nënstacione për të përmbushur misionin e saj, duke i dhënë përparësi akomodimit të burimeve të reja në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Në çfarë faze është zbatimi i projektit të linjës me Maqedoninë e Veriut?

Projekti është në fazën përfundimtare, atë të ndërtimit të linjës.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për vjeshtën dhe dimrin që kemi para, nga ajo që shihni në tregjet e energjisë? Si e parashikoni situatën e përgjithshme në sektor dhe për OST specifikisht?

Sistemi i transmetimit është i aftë të mbulojë çdo kërkesë për energji nga konsumatorët shqiptarë, çdo kërkesë si në import, edhe në eksport. Janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen gjithashtu nga sulmet kibernetike, të cilat cenojnë sigurinë e sistemit energjetik.

 
Siguria
Sistemi i transmetimit është i aftë të mbulojë çdo kërkesë për energji nga konsumatorët shqiptarë, çdo kërkesë si në import, edhe në eksport. Janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen gjithashtu nga sulmet kibernetike, të cilat cenojnë sigurinë e sistemit energjetik.

Si paraqitet gjendja e detyrimeve të prapambetura që kompanitë e tjera publike të energjisë kanë ndaj jush?

Situata financiare e OST vijon të paraqesë problematika për sa i përket rritjes së detyrimeve që OSHEE Group ka kundrejt OST, duke qenë se kjo rritje ndikon në likuiditetet e shoqërisë. Për sa u përket detyrimeve që OSHEE Group ka kundrejt OST sh.a., ato kapin vlerën rreth 18.7 mld lekë, pjesa më e madhe e të cilave lidhet kryesisht me faturat në vitet paraardhëse, e shprehur në shifër rreth 12.8 mld lekë.

Nga ana e OST sh.a. janë bërë dhe vijojnë të bëhen përpjekjet maksimale për minimizimin e efekteve që shkakton kjo situatë në likuiditetet e kompanisë, duke menaxhuar likuiditetet e disponueshme në funksion të aktivitetit normal të operimit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rrjetit të transmetimit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.


https://www.monitor.al/masa-per-mbrojtjen-e-rrjetit-nga-sulmet-kibernetike-borxhet-ndaj-ost-ne-rritje/