Operimi i Sistemit
OST sh.a. bën operimin e rrjetit në përputhje me dispozitat e Ligjit 43/2015 “Mbi sektorin e Energjisë Elektrike”, Kodin e Rrjetit të Transmetimit, Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike, marrëveshjet dy ose shumë-palëshe si dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
Sistemi i Transmetimit operon në përputhje me të gjithë udhëzimet dhe politikat e ENTSO-E, veçanërisht me parashikimet e udhëzuesit mbi Sigurinë e Operimin e Sistemit të Transmetimit (SO GL).
OST sh.a, në rolin e Operatorit të Sistemit, operon Sistemin Elektroenergjetik:
- duke përdorur teknikat më të mira bashkëkohore mbi operimin e sistemit të transmetimit dhe komponentëve të tij,
- duke siguruar balancën ndërmjet gjenerimit, shkëmbimit dhe konsumit të energjisë elektrike.
OST sh.a. në aspektin e operimit, në përmbushje të roleve të saj, realizon aktivitetin e mëposhtëm:
- Operimi i sistemit të transmetimit në kufirin me përdoruesit e rrjetit, konform Kodit të Rrjetit të Transmetimit dhe standardeve të ENTSO-E.
- Planifikimi i mbulimit të kërkesës me bazë ditore/orare, skedulimi orar për çdo central dhe kontroll i nivelit të sigurisë së operimit duke përdorur kriterin e sigurisë n-1.
- Menaxhimi i shërbimeve ndihmëse, të domosdoshme për funksionimin normal të sistemit.
- Menaxhimi i gjenerimit dhe kërkesës së energjisë elektrike në kohë reale, duke siguruar balancën ndërmjet gjenerimit, shkëmbimit dhe konsumit të energjisë elektrike.
- Analiza e punës së Sistemit Energjetik dhe propozimi i masave për ruajtjen e sigurisë së punës, në koordinimin me Përdoruesit e Rrjetit dhe OST-të e rajonit.
- Parashikimi i punës së Sistemit Energjetik në terma afatshkurtër e afatmesëm.