Përshkrimi i Sistemit të Transmetimit
Përshkrimi i Sistemit të Transmetimit
Sistemi i Transmetimit
Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike të Shqipërisë përbëhet nga linjat me një nivel të tensionit 110 kV, 150 kV, 220 kV dhe 400 kV, nënstacionet përkatëse në këto nivele të tensionit, dhe të gjithë paisjet, funksionet e të cilave përfshihen në transmetimin e energjise elektrike.
Burimet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike janë të lidhura me qendrat kryesore të konsumit nga rrjeti 220 kV dhe më tej përmes transformimit 220/110 kV (rrjeti 110 kV furnizon të gjitha nënstacionet e shpërndarjes 110 kV që përfaqësojnë kryesisht nyjen e ngarkesës).
Rrjeti 110 kV shtrihet në të gjitha zonat urbane në Shqipëri dhe furnizon nënstacione të tensionit 110 kV që i përkasin sistemit të shpërndarjes, si dhe klientët e tjerë të cilët janë të lidhur direkt me këtë rrjet. Disa nga centralet, që arrijnë në rreth 435 MW në kapacitet prodhimi, janë të lidhur me rrjetin 110 kV dhe shumë të tjerë që janë në fazën e ndërtimit janë parashikuar të lidhen së shpejti ne nivelin 110 kV dhe 220 kV.
OST garanton kapacitetet e nevojshme transmetuese për:
- furnizimin e pa ndërprerë me energji elektrike të nënstacioneve të sistemit të shpërndarjes (OSHEE) dhe konsumatorëve të energjise elektrike të lidhur direkt në rrjetin e transmetimit,
- transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vendit,
- si dhe për tranzitet dhe shkëmbimet e nevojshme me vendet e rajonit.
Në këtë kuadër ai zhvillon Sistemin e Transmetimit në përputhje me kërkesat afatgjata të furnizimit të vendit me Energji Elektrike, me planet e zhvillimit të burimeve të reja të Energjisë Elektrike dhe koordinon zhvillimin e rrjetit të interkoneksionit me vendet fqinje. OST sh.a. dispeçeron sistemin Elektroenergjitik Shqiptar nëpërmjet menaxhimit të flukseve të energjisë në sistem, duke marrë parasysh realizimin e të gjitha shërbimeve ndihmëse që lidhen me qëndrueshmërinë e sistemit si dhe shkëmbimet me sistemet e tjera fqinje.
Asetet dhe Zhvillimi i Sistemit të Transmetimit
Sistemi i Transmetimit të Energjisë Elektrike të Shqipërisë përfshin të gjitha linjat me tension 400 kV, 220 kV, 110 kV dhe nënstacionet lidhëse midis tyre që shërbejnë për transmetimin e energjisë elektrike dhe interkonjeksionit.
Gjatësitë e linjave të sistemit të transmetimit (përfshirë edhe investimet e bëra nga investitorë privatë), sipas nivelit të tensionit janë:
- Linjat e transmetimit 400 kV 445.7 km
- Linjat e transmetimit 220 kV 1,250 km
- Linjat e transmetimit 150 kV 34.4 km
- Linjat e transmetimit 110 kV 1,693 km
Në përbërje të linjave të mësipërme janë pjesë e sistemit të Transmetimit dhe linjat e interkonjeksionit me vendet fqinje si:
- Linja e interkonjeksionit 400 kV Zemblak (Shqipëri) – Kardia (Greqi)
- Linja e interkonjeksionit 400 kV Tiranë (Shqipëri) – Podgoricë (Mali i Zi)
- Linja e interkonjeksionit 400 kV Tiranë (Shqipëri) – Prishtinë (Kosovë)
- Linja e interkonjeksionit 220 kV Fierzë (Shqipëri) – Prizren (Kosovë)
- Linja e interkonjeksionit 220 kV Koplik (Shqipëri) – Podgoricë (Mali i Zi)
- Linjë e interkonjeksionit 150 kV Bistricë (Shqipëri) – Myrtos (Greqi).
Kapaciteti teknik i shkëmbimit me vendet fqinje është i mjaftueshëm për të realizuar shkëmbimet e nevojshme dhe tranzitimet e kërkuara në çdo kohë megjithatë në periudha të caktuara, ka konxhestion të kapaciteteve transmetuese në interkonjeksion.
Më poshtë janë listuar Nënstacionet kryesore të Sistemit të Transmetimit.