OST njofton lidhur me sasinë e eksplozivit të vendosur ditën e sotme, në shtyllen nr 65, të linjes dyfishe 400 kV Tirana 2 – Prizren dhe Tirana 2 – Podgorice, në afërsi të Fabrikës së Cimentos, Fushë Krujë.
Në shtyllën nr 65, të linjës 400 kV dyfishe Tirana 2 – Prizren dhe Tirana 2 – Podgoricë, e cila ndodhet në afërsi te Fabrikës së Cimentos, Fushë Krujë është vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Si pasojë e shpërthimit është shkatërruar njëra këmbë e shtyllës dhe shumë elementë mbajtës të saj.
Në vendngjarje ndodhen grupet e OST dhe Policia e Qarkut Durrës të cilët po hetojnë mbi ngjarjen. Fatmirësisht shtylla nuk është rrëzuar por theksojmë që rrëzimi i kësaj shtylle do të kishte pasoja shumë të rënda në sistemin elektroenergjetik shqiptar e për pasojë do të kishim ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në të gjithë territorin e vendit.
OST po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për riparimin e dëmit të shkaktuar nga ky akt terrorist në linjën e cila furnizon me energji elektrike të gjithë konsumatorët e territorit Shqiptar.
Në vijim deklarata për shtyp e Zv. Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z. Ilir Bejtja dhe Zv. Ministrit të Brendshëm z. Besfort Lamallari mbi ngjarjen e ndodhur.