Situata e krijuar nga COVID-19 ka evoluar dhe po shohim se pasojat janë më të gjera duke prekur ekonominë dhe gati të gjitha aspektet e jetës tonë.
Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju sjellë në vëmendje se OST sh.a. ka përgjegjësi të veçantë në këtë kohë si operatori strategjik i vetëm i sistemit të transmetimit të energjisë në vend. Fokusi kryesor i OST ka qenë dhe mbetet sa te siguria e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike dhe garantimi i vazhdimësisë së funksioneve kritike të tij aq edhe tek siguria dhe shëndeti i punonjësve në punë.
Pavarësisht riorganizimit të mënyrës së punës, burimeve njerëzore dhe prezencës në ambientet e punës në kushtet e rregullave të diktuara nga pandemia e COVID-19, të gjitha aktivitetet kryesore të OST sh.a. janë zhvilluar normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke e përballuar këtë situatë kritike në mënyrë të suksesshme në të mirë të ekonomisë dhe mirëqenies sociale.
Kështu:
- Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2020 në rrjetin e transmetimit kanë hyrë 4,050 GWh energji elektrike aq sa ishte parashikimi për periudhën. Treguesi i humbjeve në rrjet është përmirësuar krahasuar me parashikimin, duke rënë në 2.2%.
- Janë realizuar të gjitha remontet e planifikuara dhe është ndërhyrë në kohë për eleminimin e të gjitha avarive që janë shfaqur gjatë kësaj periudhe.
- Ka vazhduar puna për realizimin e investimeve, ku fokusi ka qënë kryesisht në rehabilitimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve të transferuara nga OSHEE, si edhe ndërtimin e linjave të tensionit të lartë.
- Ka vijuar puna për zbatimin e projekteve strategjike me fonde të huaja, të tilla si Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan2-Bitola dhe Elbasan2-Fier dhe zgjerimi i nënstacioneve Elbasan2 dhe Fier, si edhe Programi i Eficences se Energjise se Sektorit te Transmetimit, Linja 400 kV me dy qarqe Tirana 2 – Rrashbull dhe përforcimi i unazës 110 kV të Tiranës.
- Me miratimin e Rregullave të Tregut Balancues, ka vijuar puna për implementimin e fazës “Dry Run”, e cila është faza e kryerjes së testimeve dhe simulimit të operacioneve dhe proceseve që lidhen me tregun e energjisë.
- Fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe ka patur edhe krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, e cila përben një hap të rëndësishëm në krijimin e një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike me synim integrimin rajonal dhe europian të tij. Ekipi i OST sh.a. ka patur një rol kyç në procesin e përzgjedhjes së aksionerve të Bursës së Energjisë, të cilët tashmë janë OST sh.a. dhe KOSTT sh.a.
- Është mbyllur me sukses i gjithë procesi i marrjes së Autorizimit të Përgjithshëm nga AKEP, ku OST sh.a. tashmë është ofrues i shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe ka të drejtë të operojë dhe të konkurrojë në këtë treg me rrjetin e tij të bazuar plotësisht në fibër optike dhe të ofrojë shërbimet e komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe ultra të lartë në këtë treg. OST sh.a. do jetë infrastruktura strategjike digjitale për të ardhmen e Shqipërisë.
- Siguria e të gjithëve: Të gjithë ne mund të japim kontributin tonë pozitiv vetëm nëse qëndrojmë të shëndetshëm dhe shmangim përhapjen e virusit.
- Vazhdimësia e biznesit: Është e qënësishme që OST sh.a. të realizojë objektivat dhe qëllimin pavarësisht situatave. Ndaj ne do të vazhdojmë angazhimin tonë maksimalisht për të mundësuar operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit energjetik në vend.
- Realizimi i të gjitha detyrave dhe përgjegjësive: Gjithësecili prej nesh duhet të punojë në përmbushje të misionit tonë, sigurimin e energjisë tek njerëzit, pa asnjë ndërprerje e në çdo cep të vendit ku ata jetojnë e punojnë.