Operatori i Sistemit të Transmetimit, ashtu si të gjithë kompanitë publike dhe private, u ndesh në vitin 2020 me një situatë jonormale, e ndikuar nga pandemia. Pavarësisht vështirësive, OST ia doli të sigurojë një bilanc pozitiv financiar, ndërkohë që vijoi paralelisht me arritjen e disa objektivave dhe investimeve, ku ndër më të rëndësishmit është angazhimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë për Bursën dhe bllokun rregullues.
Administratori i OST, z. Skerdi Drenova, shprehet se gjatë këtij viti, vëmendja është përqendruar te disa investime të rëndësishme ku bën pjesë edhe linja 400 kv Shqipëri-Maqedoni. Aktualisht, Loti 1 i kësaj linje pret marrjen e lejes së ndërtimit në KKT, ndërsa për Lotin 2 vazhdon procesi i hartimit të projektit.
Drenova nënvizon se në afatgjatë janë disa linja të tjera 400 kv që pritet të ndërtohen, në funksion të rritjes së kapaciteteve transmetuese të Shqipërisë, qoftë për lidhjet me vendet fqinje, ashtu edhe në përgjigje të dinamikës së energjisë së rinovueshme me disa projekte në zbatim.
Viti 2020 u përkufizua tërësisht nga situata e pandemisë dhe vështirësia që solli ajo, jo vetëm në dimensionin shëndetësor, por edhe ekonomik. Për OST, gjithsesi, në shifra duket një vit pozitiv. Cilat ishin disa nga zhvillimet kryesore për kompaninë këtë vit në aspektin e investimeve dhe sfidave dhe çfarë ka ndikuar në rezultatin pozitiv financiar?
Viti 2020 ishte i vështirë, u gjendëm në një situatë të pazakontë, nën trysninë e pandemisë Covid-19, por me kontributin dhe sakrificat e gjithsecilit, arritëm të përmbushnim detyrat ligjore dhe teknike për operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Sistemit të Transmetimit, në dobi të të gjithë Sektorit Elektroenergjetik Shqiptar.
OST sh.a. ka garantuar performancë të lartë në përmbushjen e detyrimit për transmetimin eficent të energjisë elektrike për tregun e brendshëm, si dhe ka realizuar shkëmbime të energjisë elektrike në tregun rajonal, duke respektuar plotësisht standardet teknike të operimit paralel me sistemin e Zonës së Sinkronizuar të Europës Kontinentale.
Është ndjekur me përgjegjshmëri të lartë realizimi i të gjithë parametrave tekniko-ekonomikë të kompanisë, duke bërë të mundur realizimin e objektivave dhe realizimin e investimeve në rrjetin e transmetimit.
Ndër zhvillimet kryesore në vitin 2020, që vlen të theksohen janë:
- Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë – ALPEX
Në datën 05 Tetor 2020, përfaqësuesit ligjorë të OST sh.a. dhe KOSTT sh.a., firmosën Marrëveshjen e aksionerëve dhe Statutin e shoqërisë Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike sh.a.- ALPEX e cila është regjistruar tashmë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
- Krijimi i Bllokut AK (Albania – Kosovo)
Në datë 29 Shtator 2020, Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale miratuan njohjen e zonës së kontrollit të Operatorit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT), dhe tashmë Kosova operon brenda bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë.
- Rikonstruksioni dhe ndërtimi i linjave dhe nënstacioneve 110kV në pjesën veriore dhe juglindore të vendit.
- Zhvillimi i telekomunikacionit.
OST ka nisur të ofrojë shërbime të komunikimeve elektronike për ISP dhe institucione shtetërore, në përputhje me marrëveshjet tregtare, gjë që ka sjellë risi dhe kontribut për rritjen e të ardhurave dhe uljen e kostove të mirëmbajtjes së rrjetit.
Në vitin 2020 janë realizuar rreth 7 miliardë lekë të ardhura. Totali i shpenzimeve për vitin 2020 ka rezultuar 6.3 miliardë lekë. Rezultati financiar i vitit 2020 ka rezultuar me një fitim neto rreth 547 milionë lekë.
Cilët janë projektet/investimet më të rëndësishme që parashikon OST të zbatojë në afatshkurtër dhe afatgjatë në sistemin e transmetimit?
Pritet finalizimi i investimeve kryesore në proces zbatimi, të cilat kanë në fokus rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Synohet rritja e kapacitetit transmetues të tyre, që të jenë të afta të përballojnë jo vetëm ngarkesën aktuale, por edhe të jenë të gatshme të presin burimet e pritshme të rinovueshme të energjisë në të ardhmen e afërt ku mund të përmendim:
- Ndërtimi i Nënstacionit 220/110/35 kV në Shumat, me fondet e OST në vlerën 144 milionë lekë, impakti i të cilit prek gjithë unazën 110 kV të zonës verilindore të vendit, në të cilën janë lidhur dhe janë në proces ndërtimi një numër i madh burimesh hidrike. Ky nënstacion do të sjellë: rritjen e sigurisë nëpërmjet reduktimit të numrit të stakimeve dhe kohës së ndërprerjeve te HEC-et ekzistues dhe konsumatorët e zonës, reduktimin e humbjeve teknike dhe të numrit të stakimeve dhe të energjisë së mosfurnizuar.
- Është në proces ndërtimi i linjës 220kV Komsi – Shuma e financuar nga fondet e OST, me vlerë 199.9 milionë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e një linje 220kV me dy qarqe, me një qark të instaluar me përcjellës ACSR 490/65 mm2, me gjatësi 48.5 km dhe përbëhet nga 147 shtylla të reja metalike. Linja do të lidhë anën 220 kV të Nst Komsi të Burrelit dhe anën 220kV të NSt të ri 220/110/35kV në Shumat. Efekti pozitiv i ndërtimit të kësaj linje është reduktimi i ngarkesës të linjës 110kV të unazës verilindore.
- Ndërtimi i linjës me dy qarqe 110 kV Fibër-Librazhd dhe traktet e linjave përkatëse në Nënstacionin Fibër e Librazhd, e financuar nga fondet e OST, me vlerë rreth 464 milionë lekë.
Projekti parashikon ndërtimin e linjës së re 110kV me dy qarqe Fibër-Librazhd, rreth 23 km e gjatë, me përcjellës ACSR 240/40 mm2 dhe ndërtimin e dy trakteve të linjave në nënstacionet Librazhd dhe Fibër. Efekti pozitiv i ndërtimit të kësaj linje është në rritjen e kapacitetit transmetues të flukseve të energjisë nga HEC-et e lidhura aktualisht dhe të BRE-E të pritshme në perspektivën e afërt, rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, përmirësimin e profilit të tensioneve brenda vlerave të lejuara.
- Instalimi i një shuntreaktori me kapacitet 120MVAr në anën 400kV të Nënstacionit Tirana2, i cili do të normalizojë vlerat e tensionit në rrjetin 400kV, me ndikim jo vetëm në rrjetin e brendshëm, por dhe atë rajonal.
- Ndërtimi i nënstacionit 400/110 kV Tirana-3 dhe fuqizimi i rrjetit 110 kV të rajonit të Tiranës, përfitimet e të cilit janë rritja e sigurisë së operimit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, rritja e kapaciteteve transmetuese në një zonë me kërkesë të lartë vjetore për energji elektrike siç është rajoni i Tiranës, reduktimi i humbjeve në sistemin e transmetimit dhe reduktimi i energjisë elektrike të mosfurnizuar
- Ndërtimi i linjës 400 kV të interkoneksionit Elbasan (AL) – Bitola (NMK) dhe i linjës së re 400kV Elbasan2-Fier, e cila do të sjellë përmirësimin në përgjithësi të standardit, besueshmërisë, cilësisë dhe eficencës së sistemit të transmetimit në pjesët qendrore dhe jugore të Shqipërisë;
Në planin afatmesëm dhe afatgjatë, nga ana e OST, synohet rritja e kapaciteteve ndërkufitare me vendet fqinje, integrimi në tregun rajonal të energjisë e më gjerë, rritja e qëndrueshmërisë së sistemit dhe lehtësimi i integrimit të burimeve të rinovueshme kryesisht nga era dhe dielli, për përmbushjen e politikës së diversifikimit të energjisë në vend.
Investimet kryesore prioritare, që kanë për qëllim realizimin e synimeve të përmendura më sipër, janë:
- Rikonstruksioni i linjës 220Kv / ndërtimi i një linje të re 400kV të interkonjeksionit Shqipëri (Vau i Dejës) – Mali i Zi (Podgoricë)
- Zgjerimi i Nënstacionit të Vaut të Dejës me një autransformator 220/400kV me fuqi 400MVA
- Linjë e re 400kV e interkonjeksionit Shqipëri (Fier) – Greqi (Arachtos)
- Mbyllja e unazës 400kV të vendit Elbasan2-Fier dhe Rrashbull
- Zgjerimi i Nënstacionit të Fierzës me një transformator phase shift 400/220kV me fuqi 345MVA
- Upgrade dhe dixhitalizimi i 70 nënstacioneve
Në çfarë faze është aktualisht projekti për linjën 400 kV me Maqedoninë, arteria më e fundit e madhe me vendet e rajonit dhe cilat do të jenë përfitimet e saj për vendin?
Projekti është i ndarë në dy Lote: Lot 1 (Linjat) dhe Lot 2 (Nënstacionet) dhe përfshin:
- Ndërtimin e një linje 400 kV, me një qark ndërmjet Elbasanit dhe Qafë-Thanës (kufiri shqiptaro-maqedonas);
- Ndërtimin e një linje 400 kV, me një qark, midis Elbasanit dhe Fierit;
- Ndërtimin e një nënstacioni të ri 400 kV Elbasan 3;
- Forcimin dhe zgjerimin e nënstacionit të Fierit.
Për Lotin 1 ka përfunduar hartimi i projektit dhe jemi në fazën e aplikimit për Lejen e Ndërtimit në KKT, ndërsa për Lotin 2, vazhdon procesi i hartimit të projektit.
Projekti përforcon lidhjet interkonektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën jugore të Shqipërisë ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike, dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit VIII Europian, krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllos nënujore me Italinë.
Ka një angazhim të OST dhe palës së Kosovës përmes KOSTT për bashkëpunim. A ka një plan konkret, se cilat janë dimensionet e këtij bashkëpunimi, në çfarë aspektesh, duke përmendur këtu edhe Bursën e Energjisë?
Bashkëpunimi ndërmjet dy kompanive të transmetimit OST dhe KOSTT është një proces i vazhdueshëm dhe shumëplanësh në funksion të përmbushjes së detyrave funksionale, marrëveshjeve dypalëshe në fuqi dhe detyrimeve që lindin nga asocimi i përbashkët në nisma rajonale dhe jo vetëm, siç është blloku AK dhe Bursa Shqiptare e Energjisë ALPEX.
Strukturat përgjegjëse të zhvillimit të rrjetit janë në proces studimi dhe analizimi të zhvillimeve të rrjeteve përkatëse të transmetimit, të cilat marrin parasysh zhvillime në terma afatgjatë nëpërmjet identifikimit dhe prioritarizimit të burimeve gjeneruese, të cilat priten të lidhen në rrjetet përkatëse të transmetimit, me qëllim integrimin e këtyre burimeve, si dhe zhvillimin e tregut rajonal të energjisë ku mund të përmendim ndërtimin e linjave 110 kV Kukës-Dragash dhe Deçan-Bajram Curri.
Të dyja vendet janë pjesë e një nisme rajonale, në të cilën po studiohet ndërveprimi midis vendeve të Ballkanit Jugperëndimor, në kuadër të një mase të përbashkët, ku në secilin vend të injektohen sasi të përllogaritura të fuqive reaktive, të cilat në harmoni mes tyre, do të sigurojnë nivele të kënaqshme të tensionit në të gjitha vendet e këtij grupi.
Në këtë aspekt me palën kosovare ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë bashkëpunim në nivel teknik lidhur me parametrizimin e pajisjeve që priten të vendosen në vendet tona.
OST, për disa vite me radhë, po paraqet në Entin Rregullator të Energjisë kërkesa për të miratuar një tarifë më të lartë në transmetim, duke parashtruar si argument vështirësinë financiare të kompanisë, portofolin të kredisë të akumuluar ndër vite nga projektet që janë zbatuar, si dhe nevojën për financimin e investimeve të reja. Si paraqitet sot situata e OST në këtë kontekst dhe a është e mjaftueshme tarifa që keni sot?
Nga ana e OST sh.a., në përputhje me metodologjinë e tarifave të transmetimit të miratuara nga ERE, është kërkuar vit pas viti rishikimi i tarifës së transmetimit. Tarifa e transmetimit të energjisë elektrike, duhet të bëjë të mundur ushtrimin e aktivitetit normal të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
Tarifa e transmetimit të energjisë elektrike synon të mbledhë të ardhurat e nevojshme për të zhvilluar investimet e nevojshme në sistem, për të mbuluar kostot operative të drejtimit të shoqërisë, si dhe për të minimizuar humbjet në rrjetin e transmetimit. Tarifa e transmetimit të energjisë elektrike, ka mbetur e njëjtë, duke filluar nga viti 2018 në nivelin 0.75 lek/kWh.
Aktualisht OST sh.a., është duke përgatitur aplikimin që do të përmbajë përllogaritjet për tarifën e nevojshme të transmetimit.
Si paraqitet gjendja e rrjetit të OST në përgjithësi sa i takon amortizimit, shkatërrimit të qëllimshëm, ose nga kushtet klimatike e fatkeqësitë natyrore? A luan ndonjë peshë kjo humbje në totalin e performancës së kompanisë?
Investimet e kryera në vitet e fundit kanë rritur ndjeshëm performancën e rrjetit të OST, kryesisht atij 400kV. Pjesa kryesore e rrjetit të transmetimit përbëhet nga linja 110kV dhe 220kV. Ndërtimi i linjave 110kV dhe 220kV ka filluar rreth 50 vite më parë. Si rezultat i jetës së gjatë të shërbimit, terrenit të vështirë ku kalojnë këto linja, si dhe punës në kushte ngarkese të rëndë, shumë prej tyre janë të amortizuara.
Ndikimi nga kushtet klimatike ndodh kryesisht në muajt e dimrit në kushte me erëra të forta, temperatura të larta dhe reshje intensive të borës, por nuk janë dominuese për shkak të investimeve të kryera dhe shërbimeve të mirëmbajtjes.
Për rrjedhojë, humbjet në rrjetin e transmetimit për vitin 2020 kanë rezultuar 2.12%, ndërsa krahasuar me vitet e mëparshme përkatësisht 2018 (2.46%) dhe 2019 (2.13%) kemi një trend në rënie të këtij treguesi.
Po sa i takon orientimit drejt teknologjisë dhe inovacionit që zbatohet nëpër kompani të ndryshme, qoftë dhe ato të sektorit energjetik, cili është angazhimi i OST, edhe pse duhet thënë që ju keni një qendër moderne të ndërtuar vetëm pak vite më parë?
Për mirëfunksionimin e rrjetit është i rëndësishëm përmirësimi i infrastrukturës aktuale teknologjike, si dhe implementimi i asaj më inovative në kuadër të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga ENTSOE.
Për këtë arsye, përfshirja e teknologjisë së re konsiston në:
- Integrimin e burimeve të rinovueshme
- Efikasitet në transportin e energjisë elektrike
- Interkoneksionet e huaja
- Dixhitalizimi i rrjetit të transmetimit
- Modernizimi i rrjetit të telekomunikacionit
OST ka investuar vazhdimisht për të përmirësuar besueshmërinë e sistemit dhe për të përballuar një rritje vjetore prej 2.5% të parashikuar të kërkesës për energji elektrike, si pjesë e një programi të modernizimit të rrjetit në vazhdim.
Rrjeti ynë i telekomunikacionit po i nënshtrohet, në mënyrë graduale, migrimit të teknologjisë së vjetër, në teknologji më të avancuara (MPLS-TP), duke e renditur OST si një partner të besueshëm për klientët tanë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.