Skip to content

“Kriza rriti kostot, planet zhvillimore po përshtaten me diversifikimin”

Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, intervistë për revistën “Monitor”.
 
Kryefjalës së sektorit energjetik në vend, që lidhet me diversifikimin, Operatori i Sistemit të Transmetimit po i përshtatet me plane zhvillimore, që shkojnë në linjë me projektet e reja. Administratori i OST-së, Skerdi Drenova, nënvizon se janë një sërë impiantesh fotovoltaikë apo eolikë me kapacitet të konsiderueshëm, të cilët kanë kërkuar lidhje me rrjetin, teksa kompania po angazhon aspektin teknik dhe financiar për t’ju përgjigjur kësaj kërkese. Z. Drenova vlerëson se, pavarësisht kufizimeve në financa që solli kriza e energjisë, e cila arriti kulmin në vitin 2022, investimet nuk kanë munguar dhe një sërë projektesh të rëndësishme po vijojnë zbatimin për rritjen e kapaciteteve transmetuese të vendit. Pavarësisht rritjes së kostove të energjisë për mbulimin e humbjeve dhe shpenzimeve të lidhura me investimet, OST arriti të shënojë edhe vitin e shkuar një bilanc pozitiv financiar.

 

 

Viti 2022 ishte ndoshta viti më sfidues për kompanitë e energjisë, duke pasur parasysh kulmin e krizës së nisur në vitin 2021. Si ishte ky vit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe cilat ishin sfidat me të cilat u përballët?

Viti 2022, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, ka qenë plot me sfida, mundësi dhe rezultate pozitive.

OST ka vijuar angazhimin me përkushtim, për të siguruar një shërbim cilësor dhe të qëndrueshëm për konsumatorët, duke mbajtur një nivel të lartë të sigurisë dhe integritetit të rrjetit, duke kontribuar në zhvillimin e tregut rajonal të energjisë, si dhe duke vijuar me zbatimin e projekteve strategjike.

Sektori energjetik vinte pas një periudhe të vështirë rimëkëmbje ndaj pandemisë së COVID-19.

Në vijim, ndikimi i luftës në Ukrainë ka shkaktuar shqetësime në tregjet europiane e më gjerë.

Kjo situatë është reflektuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe vështirësive në sigurimin e burimeve të mjaftueshme energjetike, rritjen e kostove të importit të energjisë, të cilat sollën edhe rritjen e çmimit të materialeve në përgjithësi, duke ndikuar në zgjatjen e mëtejshme të projekteve në zbatim dhe kërkesës për rishikimin e buxheteve të kompanive.

Përballë kësaj situate të vështirë, OST ka vijuar punën në mënyrë të qëndrueshme, duke realizuar ndryshime të nevojshme në planifikimin strategjik, duke përshtatur më tej vëmendjen tonë në integrimin në rrjet të burimeve të tjera energjetike dhe diversifikimin e furnizimit me energji elektrike në vend.

 

Në terma financiarë, cila ishte situata e OST në vitin 2022, duke pasur parasysh elemente të tilla si shpenzimet për investime, për blerje energjie mbi humbjet dhe qarkullimi i përgjithshëm apo xhiro e kompanisë?

Viti 2022 për OST u mbyll me një rezultat financiar me fitim, në vlerën 937.4 milionë lekë.

Të ardhurat totale kanë rezultuar të jenë rreth 12.6 miliardë lekë. Zërin kryesor të të ardhurave operative të OST e zënë Të ardhurat nga transmetimi i energjisë, të cilat kanë rezultuar rreth 5.9 miliardë lekë.

Totali i shpenzimeve për vitin 2022 ka rezultuar të jetë rreth 11.7 miliardë lekë. Zëri kryesor i shpenzimeve operative përbëhet nga shpenzimet për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve të energjisë, të cilat kanë rezultuar rreth 3.1 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2022, OST ka realizuar rreth 2.6 miliardë lekë Investime, nga të cilat rreth 1.4 miliardë lekë janë realizuar me fondet tona dhe rreth 1.2 miliardë lekë, nga fondet e financuara me anë të huave.

 

OST është angazhuar vazhdimisht në projekte investimesh për rritjen e kapaciteteve transmetuese në vend apo përmirësimin e rrjetit. Cilat janë projektet kryesore ku po investoni apo punoni gjatë këtij viti?

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit përfaqëson një nga funksionet themelore të OST. Aktualisht, me fondet e OST, po investohet në disa projekte:

Ndërtimi i Nënstacionit 220/110/35 kV, 120 MVA Shumat (Peshkopi) dhe ndërtimi i linjës 220 kV Shumat – Komsi.

Ka përfunduar ndërtimi i nënstacionit dhe pritet të vihet në punë së bashku me linjën në fund të vitit 2023Ky projekt do të krijojë mundësi për integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike për gjithë zonën verilindore të vendit.

Ndërtimi i linjës me dy qarqe 110 kV dhe një qark në punë Librazhd –Përrenjas.

Ka përfunduar puna për një pjesë të segmentit, pra është energjizuar segmenti i linjës nga Nënstacioni Librazhd deri në Nënstacionin e HEC Egnatia dhe po vijon puna me ritme shumë të mira për finalizimin e plotë të projektit.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që po zbatohet është dhe Zgjerimi Nënstacionit Hoxharë e Re, me transformator 220/110 kV, si dhe ndërtimi i linjës 220 kV dopio qark Fier-Hoxharë me përcjellës ACSR 490/65 mm2 bashkë me traktet përkatëse të linjës.

Ky është një investim i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve akomoduese të rrjetit në zonën Fier-Lushnjë-Vlorë, në funksion të mbështetjes së politikës së divesifikimit të burimeve të energjisë elektrike dhe lidhjen e centraleve të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë (BRE).

Kontrata është lidhur në muajin shkurt të vitit 2023 dhe projekti pritet të finalizohet brenda tremujorit të dytë të 2025.

Ka nisur gjithashtu puna për ndërtimin e linjës 110 kV Fier – Lushnjë, ndërtimin e linjës së re 110 kV dopio qark Elbasan – Cërrik, si dhe është në proces rikonstruksioni i linjës 110 kV Librazhd-Përrenjas.

Përveç investimeve me fondet tona, ne jemi në implementim edhe të projekteve strategjike afatgjata, të cilat po realizohen me mbështetjen e financuesve të huaj siç janë:

Ndërtimi i linjës së transmetimit me dy qarqe 220 kV Tiranë-Rrashbull dhe Unaza 110 kV e Tiranës.

Ka përfunduar puna për një pjesë të Lot 1 të këtij projekti me ndikim tepër të rëndësishëm për qytetin e Tiranës dhe Durrësit, përkatësisht ka përfunduar zgjerimi i Nënstacionit 220/110 kV Rrashbull.

Në tremujorin e tretë të vitit 2023 do të nisë puna për ndërtimin e Nënstacionit Tirana 3.

Ndërtimi i linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Në korrik të këtij viti nisëm me ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë–Thanës (Segmenti Qafë-Thanë-Elbasan dhe segmenti Elbasan-Fier), pas finalizimit të zgjatjes së afatit të kredisë me KfW dhe amendimit të kontratës me kontraktorët për rritjen e çmimeve, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Në tremujorin e tretë do të nisë ndërtimi i nënstacionit 400 kV Elbasan 3, si dhe zgjerimi dhe përforcimi i nënstacionit të Fierit.

Me vënien në operim të interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut, do të rritet kapaciteti total ndërkufitar i sistemit të transmetimit shqiptar me vendet fqinje në 1500 MW, duke plotësuar në këtë mënyrë dhe një ndër objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare që është të qenët një vend lider energjetik në rajon dhe një eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030.

 

Viti 2023 ka shënuar vlera të larta të temperaturave, duke rritur dukshëm problematikat në rrjetin energjetik, për shkak edhe të ngarkesave në rrjet. Cilat janë sfidat me të cilat u përballët?

Ka pasur disa stakime. Disa prej të cilave janë shkaktuar edhe si pasojë e zjarreve të rëna në afërsi të linjave të transmetimit apo shpërndarjes, apo stakime që kanë ardhur si pasojë e remonteve të kryera nga ana jonë, në kuadër të mirëmbajtjes së linjave.

Ndikimi i stakimeve të linjave të transmetimit te konsumatorët përkthehet në total 10 orë mungesë energjie për periudhën qershor-gusht, i shtrirë ky total orësh në zonën e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit dhe Rajonit Verior.

Edhe pse në parim nuk është një interval kohor i konsiderueshëm, duke qenë se kryefjala jonë është konsumatori, edhe një minutë mungesë energjie për ne është e rëndësishme.

Ndaj, fokusi ynë kryesor janë investimet dhe remontet që po kryejmë në linjat e transmetimit, për të përmirësuar rrjetin dhe për të siguruar cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Punonjësit tanë janë angazhuar maksimalisht për të zgjidhur çdo situatë në kohë reale, si dhe vazhdojnë të jenë në gatishmëri deri në përfundim të sezonit veror.

 

Këtë vit nisi operimin ALPEX. Si e gjykoni ecurinë e deritanishme të kësaj burse dhe cilat janë përfitimet që shihni sot në treg nga shtimi i kësaj hallke të sektorit? Cilat janë planet afatgjata të lidhura me të?

ALPEX po hyn në muajin e katërt të funksionit për tregun e ditës në avancë dhe ne vlerësojmë që fillimi është brenda parashikimeve tona në lidhje me formim-çmimin, volumet dhe numrin e anëtarëve të regjistruar.

Sot, pjesëmarrësit e tregut të energjisë gjejnë një mekanizëm modern tregu për të përmbushur objektivat e tyre, sektori i energjisë ka një mekanizëm shtesë për të mbrojtur çmimet dhe për të rritur sigurinë e furnizimit.

Operimi i ALPEX është një garanci për investimet në burimet e rinovueshme, si një instrument për të absorbuar në kohë dhe me kosto të ulëta prodhimin që do të vijë prej tyre.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, që nisën operimin pothuaj në të njëjtën kohë me ALPEX, volumet e tregtuara në ALPEX janë dukshëm më të larta, kjo falë edhe mbështetjes së MIE.

ALPEX, në muajin shtator, do të operacionalizojë tregun e ditës në avancë për zonën e ofertimit të Kosovës dhe bashkimin e tregjeve të energjisë Shqipëri-Kosovë, si i pari projekt në Ballkanin Perëndimor.

Ne e kemi pasur të qartë rëndësinë dhe kompleksitetin e këtij projekti, por kemi vënë përpara interesat e të dy vendeve kur vendosëm të bëjmë bashkimin e tregjeve brenda disa muajve pas lançimit në Shqipëri.

ALPEX do të prezantojë në muajin prill të vitit të ardhshëm tregun e ankandit brenda së njëjtës ditë, me tre ankande për Shqipërinë dhe në muajin qershor dhe bashkimin e tregut e ankandit brenda së njëjtës ditë me Kosovën, që është përsëri projekti i parë në WB6 (Ballkani Perëndimor).

Synimet e OST, së bashku me ALPEX, janë që bashkimi i tregjeve të kalojë në një dimension tjetër, atë me vendet e Bashkimit Europian dhe ne jemi në fillimin e një projekti midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të udhëhequr nga Bursa greke e Energjisë, në mënyrë që të aksesojmë tregjet europiane të energjisë.

 

Kriza nxiti ndërmarrjen e disa hapave më të shpejtë për të përmirësuar diversifikimin e energjisë në vend dhe aktualisht janë një sërë projektesh fotovoltaikë dhe eolikë që po zbatohen. Cilat janë angazhimet e OST sa i takon lidhjes me rrjetin e saj të prodhuesve të energjisë si për ata të hidro, edhe për fotovoltaikë apo eolikë? 

OST ka arritur të procedojë me integritet dhe profesionalizëm aplikimet për lidhje në rrjetin e saj nga burimet e rinovueshme të energjisë, të cilat kanë njohur rritje eksponenciale në krahasim me vitet e tjera, duke përbërë dhe faktorin kryesor në hartimin e planeve të reja zhvillimore të saj.

Përdorimi i energjisë së rinovueshme ndikon në uljen e varësisë nga importet e energjisë, përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji, si dhe në optimizimin e kaskadës.

Ka pasur një sërë aplikimesh për mundësinë e lidhjes së centraleve prodhuese të energjisë elektrike në zona të ndryshme të sistemit elektroenergjetik, kryesisht nga dielli dhe era, por edhe centrale të tipit “Gjenerues Hidrik” dhe Gjenerues “Termik”.

Kërkesat për lidhjen e burimeve të reja të prodhimit të energjisë elektrike në sistemin e transmetimit janë trajtuar mbështetur edhe në VKM Nr. 822, datë 7/10/2015 dhe VKM Nr.718, datë 12/10/2016, ku në këto raste jemi shprehur nëpërmjet një opinioni paraprak sikundër e kërkon procedura.

Gjithashtu, janë trajtuar dhe kërkesat për lidhje me rrjetin të centraleve eolike që kanë përfituar statusin Ofertues të Para-Kualifikuar në ankandin e Erës në përzgjedhjen e projekteve të erës në tokë, që do të përfitojnë masa mbështetëse, të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) në datë 22.06.2022 si vijon:

  • Shoqëria KMV SH.P.K. ka marrë miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik KMV4, me fuqi të instaluar 75
  • Shoqëria AYEN RENEWABLE ENERGY SH.A. ka marrë miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik Lezha WEPP, me fuqi të instaluar 54 MW.
  • Shoqëria BRD ENERGY SH.P.K. ka marrë miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik Guris Energy Wind Farm, me fuqi të instaluar 50 MW.

Shoqëria VERBUND Green Power Albania SH.P.K. ka marrë miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik Kryevidh, me fuqi të instaluar 75 MW.

Është vënë gjithashtu në operim një burim gjenerues i tipit solar i lidhur në rrjetin e transmetimit 10 kV.


https://www.monitor.al/kriza-rriti-kostot-planet-zhvillimore-po-pershtaten-me-diversifikimin-2/