Skip to content

Inaugurimi i fillimit të punimeve për linjën 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Nis në terren puna për ndërtimin e linjës së interkoneksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
Një projekt tejet i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik shqiptar i cili përfshin:


• Ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë – Thanës
• Ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Fierit.
• Ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3.
• Zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.


Sistemet energjetike të të dy vendeve nuk kanë qenë të lidhura direkt deri më sot e për rrjedhojë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mundur të kishin shkëmbim të energjisë elektrike. Ky projekt shënon një etapë të re për të dy kompanitë OST dhe MEPSO pasi po hyjnë në një proces që jo vetëm do të lidh të dy sistemet, por do t’i hapë rrugë edhe bashkimit te tregjeve të energjisë elektrike Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe më tej me vendet e BE.


Me vënien në operim të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, do të rritet kapaciteti total ndërkufitar i sistemit të transmetimit shqiptar me vendet fqinje në 1500MW, duke plotësuar në këtë mënyrë dhe një ndër objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare që është të qenurit një vend lider energjetik në rajon dhe një eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030.
Duke qenë pjesë e infrastrukturës për Korridorin e 8-të Evropian, ky projekt do të krijojë mundësi shumë të mira për lidhjen me rrjetin Italian përmes linjave nënujore.


Gjithashtu, ky investim do të ketë ndikim në zhvillimin e rrjetit 400 kV në zonën e Shqipërisë së Jugut, si dhe do të mbështesë çdo investim të nisur sot dhe të tjera që parashikohen të realizohen në të ardhmen për zhvillimin e energjisë së rinovueshme si dhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Jo më pak e rëndësishme është edhe rruga digjitale që do të ndërtohet, e cila do të rrisë aftësinë komunikuese mes dy vendeve me kapacitet 200 giga/sek në hapin e parë. Ulja e kostos së transmetimit do të ndikojë në uljen e kostos së ofrimit të shërbimit të internetit për konsumatorët.


Një nga prioritetet e OST është edhe përmirësimi i shërbimit “data” në zona ku tregu nuk ka depërtuar dhe kostoja e shërbimit është e lartë.