Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, inspektoi përfundimin e investimeve të reja në nënstacionin elektrik “Tirana 2”, ku është realizuar një projekt i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji për qytetin e Durrësit dhe gjithë zonën jugperëndimore të vendit.
Në këtë inspektim, znj. Balluku u shoqërua nga Administratori i OST sh.a., z. Elisian Bici, me të cilin vuri në dukje rëndësinë e këtij investimi si pjesë e planit të gjerë për modernizimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
“Me përfundimin e këtij investimi në nënstacionin “Tirana 2”, forcojmë më tej rrjetin energjetik dhe sigurojmë furnizim më të qëndrueshëm për Durrësin dhe gjithë rajonin jugperëndimor. Ky është një hap tjetër në drejtim të ndërtimit të një rrjeti më të sigurt, më efikas dhe me standarde më të larta për qytetarët,” – u shpreh z. Bici.
Nga ana e saj, ministrja Balluku theksoi se sistemi energjetik shqiptar ndodhet në një nivel të kënaqshëm sa i përket reduktimit të humbjeve, ndërsa Operatori i Transmetimit mbeten pjesa më e rëndësishme për garantimin e furnizimit dhe lidhjes me vendet fqinje.
Gjatë fjalës së saj, ministrja nënvizoi edhe rritjen e ndjeshme të volumit të transmetimit të energjisë elektrike në rajon gjatë pesë viteve të fundit, sidomos në drejtimet Greqi–Shqipëri dhe Mal i Zi–Itali, duke theksuar se linjat ekzistuese janë shpesh të ngarkuara.
“Kjo është arsyeja pse Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave me qeverinë italiane dhe operatorin e transmetimit në Itali, por edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, për ndërtimin e linjës nënujore të energjisë që do të lidhë Shqipërinë me brigjet italiane. Ky projekt strategjik do të hapë mundësi të reja për shkëmbimin energjetik dhe integrimin më të thellë në tregun evropian” – deklaroi Balluku.
Investimi në nënstacionin “Tirana 2” vjen në vazhdën e projekteve madhore të OST-së, si linja e re e transmetimit me dy qarqe 220 kV Tiranë–Rrashbull dhe Unaza 110 kV e Tiranës, që synojnë krijimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të aftë për t’u përshtatur me rritjen e kërkesës për energji në vend.
Administratori i OST, z. Bici shtoi se: “aktualisht po operohet në dy lloj tensionesh 220kV dhe 110kV, ndërsa në planin afatmesëm është dhe mbulimi i linjës 400kV që ka mbetur vetëm në pjesën Rrashbull-Fier”.
Sipas tij, Projekti është përfshirë në dy lote, në lotin e parë kemi zgjerimin e nënstacioneve me ndërtimin e nënstacionit “Tirana 3”, ku punimet kanë përfunduar në Rashbull dhe “Tirana 2”, dhe transformatorët janë vënë në punë.
“Po punojmë çdo ditë për të sjellë energji më të qëndrueshme dhe shërbim më cilësor, kudo në Shqipëri,” – përfundoi znj. Balluku.










