Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi punimet në nënstacionin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit “Tirana 3”, i vendosur në zonën e Petrelës, një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në kryeqytet.
Gjatë vizitës, ministri Karakaçi u shoqërua nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Elisian Bici, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe partnerit financiar KfW, duke vlerësuar ecurinë e punimeve dhe rëndësinë e këtij investimi në kuadër të bashkëpunimit të qëndrueshëm shqiptaro-gjerman në sektorin energjetik.
Nënstacioni “Tirana 3” është ndërtuar në një zonë ku më parë mungonte një infrastrukturë e tillë dhe përfshin tre linja 110 kV, të cilat lidhen me nënstacionet Traktorat, Selita dhe Farka. Ky investim krijon një rrjet unazor në Tiranë, duke rritur sigurinë e furnizimit energjitik, reduktuar humbjet teknike dhe duke minimizuar ndërprerjet për konsumatorët.
Ministri Karakaçi theksoi se ky investim është pjesë e një pakete më të gjerë zhvillimesh në kryeqytet, e cila përfshin gjithashtu ndërhyrje në nënstacionet e Qendrës, Zogut të Zi dhe Kinostudios, si dhe linjën “Tirana 1”. Ai nënvizoi se këto projekte janë thelbësore për të përballuar ritmet e zhvillimit urban dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Më tej, ministri evidentoi se bashkëpunimi me KfW shtrihet edhe në projekte të tjera strategjike, përfshirë linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut, ku pjesa shqiptare ka arritur rreth 86% të realizimit, si dhe investimet për ndërtimin e nënstacionit të Kamzës dhe digjitalizimin e OST-së.
Përfaqësuesja e BMZ, znj. Heike Backofen-Warnecke, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në përmirësimin e integrimit rajonal të rrjetit energjetik. Ajo theksoi se investime të tilla kontribuojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit energjitik, zhvillimin ekonomik dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Nënstacioni “Tirana 3” pritet të hyjë së shpejti në operim, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit energjetik dhe në garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm për kryeqytetin.






