Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sh.a) mori pjesë në Konferencën e 3-të të CIGRE Kosovë, e cila u mbajt në datat 22-25 tetor 2025, në Prishtinë. Ky event i rëndësishm për sektorin energjetik mblodhi ekspertë, profesionistë dhe aktorë të industrisë nga rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar temat më të rëndësishme të lidhura me zhvillimet aktuale dhe sfidat që lidhen me sistemet elektroenergjetike.
Konferenca ofroi një mundësi të shkëlqyer për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për të ndarë eksperienca në lidhje me transmetimin, shpërndarjen dhe integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në rrjetet elektroenergjetike.
Në ditën e parë të konferencës, Administratori I OST-së, z. Elisian Bici mori pjesë në panelin kryesor të aktivitetit. Z. Bici ndau perspektivën dhe qëndrimin e OST-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin energjetik shqiptar, duke u fokusuar në sfidat dhe mundësitë që lidhen me integrimin e burimeve të rinovueshme në rrjetin elektroenergjetik të Shqipërisë. Ai theksoi nevojën për një integrim të kujdesshëm dhe të balancuar të energjive të rinovueshme, që të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e sistemit të transmetimit.
Z. Bici, gjithashtu diskutoi mbi sfidat që hasen gjatë përmirësimit të infrastrukturës së rrjetit të transmetimit dhe rolin kyç të OST-së në menaxhimin e këtyre burimeve energjetike, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt për konsumatorët. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit me aktorë të tjerë të sektorit, si dhe implementimin e teknologjive inovative për të optimizuar performancën e rrjetit të transmetimit.
Gjatë ditëve të tjera të konferencës, përfaqësues të OST-së paraqitën një sërë punimesh teknike që trajtuan aspekte të rëndësishme të planifikimit, zhvillimit dhe operimit të rrjetit të transmetimit, duke përfshirë analizën e mundësive për përmirësimin e eficiencës së transmetimit dhe reduktimin e humbjeve të energjisë në rrjet. Këto prezantime ishin një mundësi e shkëlqyer për të ndarë eksperienca dhe për të bashkëpunuar me institucione të tjera të ngjashme, si dhe për të thelluar njohuritë teknike të aktorëve të sektorit energjetik.
Një nga temat kryesore të diskutimeve ishte gjithashtu menaxhimi i burimeve të rinovueshme dhe integrimi i teknologjive të avancuara për të rritur fleksibilitetin e rrjetit të transmetimit. Përfaqësuesit e OST-së përfshinë aspekte të tilla si kapacitetet e transmetimit, planifikimi i nevojave për investime dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së rrjetit, në mënyrë që të mundësohet integrimi i qëndrueshëm i burimeve të të tjera të energjisë.
Pjesëmarrja në Konferencën e CIGRE, Kosovë theksoi angazhimin e OST-së për t’u përfshirë aktivisht në iniciativat ndërkombëtare dhe për të kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve inovative që përmirësojnë performancën e sistemit elektroenergjetik dhe mbështesin rritjen e qëndrueshmërisë së tij
.

