Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike ( ENTSO-E) zhvilluan takimin e 110-të të Komitetit për Zhvillimin e Sistemit (System Development Committee – SDC).
Në aktivitetin dy ditor të organizuar për herë të parë në Tiranë morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga operatorët e sistemeve të transmetimit të vendeve anëtare të ENTSO-E, anëtar të sekretariatit të SDC-së, si dhe përfaqësues të Grupit Ligjor dhe Rregullator të ENTSO-E. Takimi u zhvillua edhe në format hibrid, ku u diskutan çështje të rëndësishme për të ardhmen e sektorit energjetik. Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e proceseve të planifikimit afatgjatë, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit, përditësimin e metodologjive të vlerësimit të kapaciteteve dhe nevojave të rrjetit, si dhe avancimin e integrimit të sektorëve të ndryshëm të energjisë në kuadër të tranzicionit të gjelbër. Gjithashtu u trajtuan aspekte të rëndësishme që lidhen me dixhitalizimin, sigurinë operacionale dhe përmirësimin e kuadrit rregullator për të përballuar sfidat e ardhshme të sistemit elektroenergjitik.
Administratori i OST-së, z. Elisian Bici, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e këtij eventi për Shqipërinë dhe për rrjetin evropian të transmetimit. Ai vuri në dukje angazhimin e OST-së si anëtare me të drejta të plota në ENTSO-E që prej vitit 2017, si dhe rolin e saj në integrimin e burimeve të rinovueshme dhe ndërtimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm, fleksibël dhe të sigurt. Gjithashtu z. Bici prezantoi objektivat stategjikë të OST-së, përfshirë zhvillimin e linjave të reja interkonjeksioni, digjitalizimin e rrjetit dhe harmonizimin ligjor me standarte evropiane.
Kryetarja e re e Komitetit për Zhvillimin e Sistemit, znj. Patricia Labra, vlerësoi mikpritjen dhe angazhimin e OST-së në mbështetje të punës së Komitetit, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit dhe institucioneve evropiane për të përballuar sfidat e tranzicionit energjetik dhe për të avancuar objektivat e përbashkëta të zhvillimit të sistemit.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Besjan Kadiu, theksoi rëndësinë strategjike të zhvillimit të rrjetit të brendshëm të transmetimit, integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe forcimit të ndërlidhjes me rrjetin rajonal. Në këtë kontekst ai nënvizoi se siguria dhe qëndrueshmëria e sistemit energjetik nuk mund të trajtohen në mënyrë të izoluar, pasi një incident në një rrjet kombëtar mund të ketë ndikime të drejtpërdrejta në rrjetet e tjera të ndërlidhura. Ministria, në përputhje me prioritetet e saj për tranzicionin energjetik dhe integrimin evropian, mbështet Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe sektorin elektroenergjitik në tërësi në përpjekjet për modernizim dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në afirmimin e rolit të Shqipërisë në hartën energjetike evropiane dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e transmetimit të energjisë elektrike. OST mbetet e angazhuar për të kontribuar në zhvillimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar me rrjetin evropian, duke përmbushur standardet më të larta profesionale dhe teknike në përputhje me objektivat kombëtare dhe evropiane për tranzicionin energjetik.


