Ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një investim strategjik në funksion të rritjes së sigurisë energjetike, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal. Linja Elbasan-Bitola përbën një element kyç të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim dhe pjesë integrale të Korridorit VIII.
“Ky projekt përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument i cili garanton angazhimet e të dy shteteve për integrimin rajonal dhe europian të tregjeve tona, krahas integrimit politik në Bashkimin Europian. Kjo linjë nuk është vetëm një projekt bilateral. Ajo është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit VIII energjetik, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më tej Italinë. Përmes këtij korridori, ne po ndërtojmë një urë të re energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës”, u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në ceremoninë e nisjes së punimeve në Maqedoninë e Veriut.
Projekti synon krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë ndërmjet sistemeve energjetike të dy vendeve, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe avancimin e integrimit të tregjeve energjetike sipas standardeve europiane. Në territorin e Shqipërisë, punimet kanë arritur në rreth 80% të realizimit.
Në vijim të këtij projekti, Shqipëria po avancon edhe në iniciativa të tjera strategjike, përfshirë zhvillimin e një linje të re 400 kV me Greqinë, aktualisht në fazë studimore, si dhe projektin për interkonjeksionin nënujor me Italinë, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe optimizimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Këto zhvillime kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, fleksibël dhe të integruar, si dhe në forcimin e rolit të Shqipërisë si vend tranzit për energjinë e gjelbër në rajon.




